Prag, Inter-Napoli, Hysaj nuk luan dhe lutet tek mrekullia ndaj Kontes!

Kampionati është objektivi kryesor, por as kjo nuk mund të nënvleftësohet. Antonio Konte e ka të qartë se nuk ka asnjë garanci se mund ta fitojë Serinë A, ndaj edhe Kupa e Italisë do të ishte gabim të konsiderohej si objektiv dytësor. Për këtë arsye, gjysmëfinalja e sotme ndaj Napolit, në orën 20:45 në “San Siro” merr vlerë të veçantë. Pritet publik i madh, rreth 60 000 spektatorë, ndaj edhe trajneri zikaltër kërkon maksimumin nga lojtarët e tij, për më tepër që Kupa nuk fitohet që nga viti 2011.

Përsa i përket formacionit, portieri dhe kapiteni Handanoviç nuk mund të luajë as këtë herë. Kthehet Lautaro Martinez, që ishte i pezulluar ndaj Milanit. Konte duhet të vendosë për të aktivizuar Lukakun, apo për ta lënë pushim, dhe në vend të tij të jetë titullar, Aleksis Sançez.

Eriksen mund të jetë për herë të parë në formacion, që kur erdhi nga Totenhemi. Mozes e Biragi mund të zëvendësojnë Jangun dhe Kandrevën. “Napoli është një nga kundërshtarët më të rrezikshëm të mundshëm, – janë fjalët e trajnerit, – është mirë që luajmë në fushën tonë, por duhet të japim maksimumin, ndryshe nuk ia dalim. Kam besim tek djemtë”.

Napolitanët kanë shumë më pak probleme. Malkuit nuk luan, dhe po ashtu Gulam nuk besohet t’ia dalë, ndërsa Junes është në dyshim. Sidoqoftë, trajneri Gatuzi mund të mbështetet tek lojtarët kryesorë si Kulibali, Mario Rui, Alan, Zielinski, Mertens e Insinje, pa harruar të sapoardhurin Deme.

Elseid Hysaj, kapiteni i kombëtares shqiptare, nuk do të luajë pasi është i skualifikuar, ndërsa ka balotazh mes Kajehonit e Politanos. Gatuzo duhet të lerë pas humbjen e rëndë në Serinë A ndaj Leçes, pësuar në “San Paolo”. “Duhet të reagojmë dhe të shpëtojmë sezonin, – ishin fjalët e tij, – ajo që ndodhi me Leçen nuk duhet të përsëritet. Duhet t’u japim një kënaqësi tifozëve tanë, dhe Kupa është një trofe për t’u fituar”. Kupa është më shumë e rëndësishme për Napolin, që nuk mund të pretendojë në kampionat

Sfidanti.al