Uilliamson fiton duelin me Lilardin, Nju Orlinsi po ëndërron me të!

Nuk është një nga basketbollistët më shtatlartë të kampionatit, por kjo shpesh nuk ka rëndësi. Mos vallë ishin të tillë Majkëll Xhordan, Kobi Brajant, apo mos është i tillë Lebron Xhejmsi? E pra, me trupin 1.98 metra, Zion Uilliamson sërish është i pamundur për t’u përballuar në NBA, edhe pse ka moshën vetëm 19-vjeçare. Pas Luka Donçiçit, ja një tjetër fenomen, “prodhim vendas”, i shtohet ligës më të fortë të botës.

Ylli i ri i Nju Orlinsit shkëlqeu ndaj Portlendit duke fituar sfidën direkte ndaj yllit mik, Damian Lilardit. Uilliamson shënoi 31 pikë në më pak se 28 minuta lojë, si dhe pati 9 topa në tabela e 5 asistë. Ja pra, që ai e kupton lojën në çdo aspekt. Lilard këtë herë ishte më pak i frymëzuar, duke shënuar 20 pikë, kapur 5 topa në tabela e shërbyer 5 asistë.

Nju Orlinsi fitoi thellë 138-117, ndërsa Uilliamsonit iu deshën vetëm 9 ndeshje në NBA (me minutazh jo të plotë) që të kalonte barrierën e 30 pikëve të shënuara. Ai ishte shumë i fuqishëm dhe shumë i shpejtë, dhe asnjë mbrojtës i Portlendit nuk arriti ta ndalonte. “Unë kam kërkesa të mëdha ndaj vetes, por duhet të gjej ekulibrin mes ëndrrës dhe realitetit, – ishin fjalët e tij pas ndeshjes, – unë dua të kombinoj me shokët, dhe vetëm nëse nuk ia dal, hyj në aksion individual”.

Sfidanti.al