Sulmuesi i Lajpcigut dhe i kombëtares gjermane është bërë shënjestër e mediave pas rastit të pastër të humbur në ndeshjen e së dielës ndaj Bajernit. Timo Verner mund të cilësohet si “koka e turkut”, por ai gjen një mbrojtës që nuk është i skuadrës së vet. Në krah tij del mbrojtësi i Bajernit dhe i kombëtares gjermane, Xhoshua Kimih.
“Ai rast nuk ishte aq i lehtë, sa mund t’i duket një tifozi amator, – u shpreh Kimih, – topi nuk ishte aq “i pastër”, ishte i shpejtë dhe ishte me rrotullim, ndaj Timo duhej të rrezikonte. Ai nuk mund të priste sepse ndryshe Alaba apo Nojeri mund t’ia mbyllnin rrezen. Në televizor duket më e lehtë sesa ishte në të vërtetë”. “Natyrisht, – shtoi mbrojtësi bavarez, – ai ka cilësinë për t’ia dalë, për të shënuar gola të tillë, dhe ne jemi të lumtur që ai nuk e bëri”. Vetë Verneri bën autokritikë duke thënë se “duhej të kisha shënuar, nuk ka diskutim për këtë”, veçse trajneri Nagelsman e mbron duke thënë se “ishte e vështirë dhe Timoja rrezikoi shumë, nuk ka qortim, ai do të shënojë shumë gola”.
Sfidanti.al