Leonardo bën “ekuilibristin” në sherrin mes Tuhelit dhe Mbapesë!

Paris SG është një klub në hall dhe nuk di se kujt t’ia prishë e kujt t’ia ndreqë. Në pozitë të vështirë është drejtori sportiv, Leonardo, që pas acarimit në verë me Nejmarin, duhet të merret me konfliktin mes Kilian Mbapesë e Tomas Tuhelit. Siç edhe pritej, braziliani u ngacmua nga gazetarët për “spektaklin” që ndodhi në ndeshjen ndaj Monpeljesë, kur sulmuesi u acarua me trajnerin pas zëvendësimit.

“Natyrisht, unë nuk ndihem aspak mirë me këtë që ka ndodhur, – u shpreh Leonardo pas fitores 4-2 të PSG-së ndaj Lionit, – nëse një lojtar lë fushën dhe diskuton me trajnerin, atëherë është faji i tij, kjo është e qartë. Ne do të flasim për këtë gjë dhe do ta sqarojmë”. Gjithsesi, drejtori nuk deshi ta hidhte krejtësisht poshtë sulmuesin 21-vjeçar. “Nuk mund të jem dakord kur thuhet se ai është një fëmijë i keq apo i llastuar, – reagoi ai, -nuk e pranoj. Mbape është një djalë shumë i mirë, shumë i përkushtuar dhe një lojtar fantastik”.

Ish-sulmuesi i kombëtares së Francës, Kristof Dygarri, e kritikoi Mbapenë duke thënë se “ai shpesh duket si shumë i pjekur, por ja që bën gjëra të tilla që e tregojnë si fëmijë, nuk mund të tregosh mungesë respekti për trajnerin dhe shokët”. Gjithashtu, Leonardo bëri një bilanc të sulmuesve më të mirë në treg: “Katër sulmuesit më të mirë të botës për momentin, – tha ai, – janë një 35-vjeçar (Ronaldo), një 32-vjeçar (Mesi), një 28-vjeçar (Nejmar) dhe një 21-vjeçar (Mbapeja). Këta të dy luajnë për PSG-në”.

Sfidanti.al