Barça e mban presionin, fiton ndaj Betisit me 3 asiste të Mesit!

Kapiteni nuk po shënon dot, dhe duket sikur porta po i duket e mallkuar. i pati mundësitë, krijoi edhe spektakël e magji, por goli nuk erdhi, veçse Lionel Mesi bëri shumë më tepër. Siç e thekson gazeta “Marka”, “vërtet u mohua, por Mesi dha 3 pasime për gol”. Autorë të rrjetave në fushën e Betisit, në fitoren 3-2, ishin Buskets, De Jong dhe Lengle. Nuk ishte aspak e lehtë për të besuarit e trajnerit Kike Setien, që vuajtën në pjesën e parë, dhe po ashtu u vunë nën presion në minutat e fundit por ia dolën. Sergio Kanales shënoi për 1-0 për Betisin në 6’ me penallti, dhe Nabil Fekir realizoi për avantazhin e dytë, 2-1, në 26’.

Barça nuk ka sulmuesit, me përjashtim të Grizmanit, pasi Suarez dhe Dembele janë të dëmtuar, ndërsa Mesi luan me dëmtim, plus që nuk është sulmues në rol. Ai ka 3 ndeshje pa shënuar, por sërish u vlerësua si “artisti” duke bërë shumë. Forma fizike, por diçka edhe presioni psikologjik po ndikojnë te kapiteni që humbi një rast të pastër vetëm për vetëm, nuk realizoi me një parabël që vjet e bëri, si dhe humbi edhe një rast tjetër. Gjithsesi, Barcelona nuk lejoi shkëputjen e Realit duke pasur 49 pikë ndaj 52 të madrilenëve.

Sfidanti.al