Antetokumbo nuk është një “super”, por merr fitoren e 45-të!

Nuk besohet se do të arrijë rekordin e Golden Stejtit, me vetëm 9 humbje në sezon, apo të Lejkërsave të Mexhik Xhonsonit me 10, por gjithsesi është skuadra e sezonit. Miluoki arriti edhe fitoren e 45-të, duke pasur 7 humbje, ndërsa deri në fund të edicionit duhet të luhen edhe 30 sfida. Suksesi ishte 111-95 në fushën e Orlandos, dhe ishte krejtësisht për meritë kolektive.

Kapiteni dhe lojtari më i mirë i sezonit deri tani, Janis Antetokumbo, ishte pak a shumë “i qetë”, ndonëse iu afrua një tripëll dabëlli. Ai shënoi 18 pikë, kapi plot 18 topa në tabela e shërbeu 9 asistë, duke bllokuar edhe dy gjuajtje. Pra, mund të thuhet se ishte “i qetë” vetëm për sasinë e pikëve të realizuara. Si përherë, shumë mirë luajti Kris Midëlltoni me 21 pikë, 13 topa në tabela e 6 asistë, por edhe Bruk Lopezi me 23 pikë e 6 topa në tabela. Miluoki udhëheq me diferencë në Konferencën Lindore, pasi Toronto e vendit të dytë ka plot 14 humbje, ndaj 7 të Baksëve, edhe pse ka arritur 15 fitore radhazi.

Sfidanti.al