Sikur fjalët të ishin thënë në fushën e Laçit, tamam pas ndeshjes, tingëllima e tyre do të ishte më flakëruese. Presidenti i Skënderbeut, Takaj, pas “magjisë së zezë” të arbitrit Ferhataj në ndeshjen me Laçin, ka reaguar pa maskë tek goja: “FSHF duhet t’i kontrollojë arbitrat në ndonjë klinikë të specializuar, në mënyrë që të shikojë me çfarë virusi janë infektuar ata”. Të gjithë banorët e Superligës,me këto që po ndodhin përgjatë javëve, kanë të drejtë të pyesin me frikë, me dorë në zemër: po këtë javë kujt do t’i bëjnë funeralin? Më e bukura, por dhe shumë e frikshme është se në fushë ka zbritur një brez arbitrash që po tregojnë se nuk kanë frikë të gabojnë, madje edhe përtej limiteve…
Pyetja që nuk bëjnë presidentët në këtë moment viral , mund të jetë e tillë: arbitrave u ka rënë virusi apo shefat e kanë shpikur virusin në “laboratorin”, për të cilin betoheshin se mbante emrin shfajësues “ Gabime njerëzore”. Është interesant fakti se në fushat e Superligës janë zhdukur arbitrat me stemën e FIFA-s, ata që keqpërdoren më me takt për hir të shenjës në gjoks, dhe në fushë kanë zbritur “anonimët e pandalshëm”. Dhe e dini pse janë të gjithë të gabueshëm, me të njëjtin standart të frikshëm mediokriteti? Që të ndërrohen shpesh, dhe të mos kemi kohë të fiksojmë as emrat e tyre, as bëmat e tyre..
Sfidanti. al