“Lulet e Mançesterit”, përkujtohet 62-vjetori i tragjedisë së Mynihut!

Ndodhi fiks më gjashtë dekada e dy vjet më parë. Skuadra e lavdishme e Mançester Junajtidit, që synonte të “pushtonte” Europën, ishte në aeroplanin që po ngrihej nga aeroporti i Mynihut, pas një ndeshjeje të Kupës së Kampionëve ndaj Crvena Zvezdës së Beogradit. Ishte një kthim me ndalesë në Bavari, por avioni “Erspid Ambasador” (Airspeed Ambassador) nuk mundi të shkëputej nga toka, por doli ngha pista, u përplas dhe u shkatërrua.

Nga 44 njerëzit në bord, 23 humbën jetën dhe 21 mbijetuan, e mes viktimave ishin edhe shumë prej yjeve të Junajtidit. Xhef Bent, Roxher Bërn, Edi Kolman, Dankën Eduards, Mark Xhons, Dejvid Peg, Tomi Tejlër dhe Lajëm Uelan ishin futbollistët që u shuan, bashkë me njerëzit e stafit Uolter Krikmer, Tom Kërri dhe Bert Uollej. Bashkë me ta vdiqën edhe 8 gazetarë, një agjent udhëtimi (hungarez) dhe një tifoz. Ndër ata që mbijetuan ishin 9 lojtarë të Junajtidit, mes të cilëve legjenda Bobi Çarlton si dhe trajneri po ashtu legjendar, Mat Basbi.

Në Mançester dhe në gjithë Anglinë, sot u përkujtuan viktimat e aksidentit të tmerrshëm ajror. Klubi i “Old Trafordit”, por edhe Dejvid Bekam apo rivalët e Liverpulit ishin mes atyre që bënë homazhe për heronjtë e dikurshëm. Në ceremoninë e rastit ishin edhe trajneri i sotëm, Ole Gunar Solskjer, dhe ish-kapiteni i famshëm, Brajan Robson.

Sfidanti.al