Bilbao e bën Kupën një festë baske, ikën edhe Barcelona!

Shefi i Federatës Spanjolle të Futbollit, Rubiales ishte shprehur se kishte parë një ëndërr sikur Kupa e Mbretit do të ishte një trofe i diskutuar mes skuadrave më të vogla, dhe jo vetëm mes atyre të përhershmeve në Gadishullin Iberik. Ëndrra e tij u sendërtua shumë më shpejt sesa ai mendoi, kur pas Realit u eleminua edhe Barcelona, ndërsa “dru kishin ngrënë” edhe Valencia e Vijarreali.

Atletik i Bilbaos plotësoi festën baske, duke mos dashur të shohë vetëm Sociedadin të mburrej për trimërinë në “Bernabeu”. Edhe pse nuk u luajt në “Kamp Nou”, sërish mposhtja e Barcelonës është gjë e madhe, arritur në stadiumin e ri “San Mames” falë golit të Injaki Uilliamsit në minutën e tretë shtesë. Në gjysmëfinale të Kupës së Madhërisë së tij, do të jenë Bilbao, Sociedadi, Granada dhe Mirandesi. Flitet për 3 ekipe të La Ligës, por që nuk janë në zonën europiane, si dhe për një skuadër që sapo është ngjitur në Kategorinë e Dytë!

Në “San Mames” u luajt një ndeshje e fortë, vërtet shumë e fortë. Barcelona nuk luajti keq, përkundrazi, luajti shumë mirë, e udhëhequr nga Mesi, me Ansu Fatiun në formacion dhe me Sergi Roberton si sulmues krahu. Katalanasit nuk fituan dot sepse u mungoi fati, dhe sepse periudha e vështirë po ndikonnë rezultate. Gjithsesi, mund ta marrin veten shpejt. Ishte një duel mes dy “mbretërve” të Kupës, dy ekipeve rekordmenë të titujve në këtë garë, Barça me 30 dhe Bilbao me 23, e baskët shpresojnë të shtojnë edhe një trofe tjetër.

Sfidanti.al