“Magjibërësi” Flik, tek Bajerni të gjithë luajnë mirë!

Dikur ishte një banderolë e tifozëve bavarezë se “ne luajmë mirë vetëm kur është në fushë Mehmet Sholi”, dhe flitet për 20 e ca vjet më parë. Sot, banderola do të ishte se “kur në stol është Hansi Fliku, të gjithë tek Bajerni luajnë mirë”. Këtë thekson tabloidi “Bild”, duke e quajtur trajnerin si “gjithëbërësin e mirë”, pasi thuajse çdo lojtar i ekipit ka nisur të japë maksimumin.

Tomas Myler po shënon sërish dhe është i rinuar, Tiago Alkantara është kthyer në golshënues, Robert Levandovski vazhdon të realizojë ashtu si Serg Gnabri, por skuadra nuk është e varur prej tyre. Mbi të gjithë, Myleri (idhull i tifozëve) me 6 gola e 8 asistë në 13 ndeshjet e fundit! Edhe mbrojtja është bërë e fortë, me Alabën, Boatengun, Pavarin e Dejvisin. Flikut i mbetet që të ndihmojë edhe Filip Kutinjon dhe Tolisonë që të shkëlqejnë, ndonëse braziliani nuk po luan keq. Bajerni i Hansi Flikut ka 6 fitore radhazi dhe është në krye të Bundesligës.

Sfidanti.al