Amerika ka një hero të ri në Super Boul, ky është Patrik Mahomes i Kanzasit!

Që sot, Amerika ka një hero të ri. Legjenda Tom Bredi është zëvendësuar, të paktën këtë herë, nga Patrik Mahomes, ylli i Kanzas Sitit, që i dha titullin e Super Boulit skuadrës së tij. Natyrisht, do të duhet shumë më tepër për t’u matur me Bredin, që luajti 9 finale e fitoi 6, por sidoqoftë 24-vjeçari është padyshim idhulli për tifozët e tij, dhe për adhuruesit e futbollit amerikan.

Kanzas Siti Çifs, pra Shefat e Qytetit të Kanzasit, ishin duke humbur ndaj San Franciskos, madje me shifrat 10-20, kur Mahomes pati frymëzimin e tij. Ai shpërtheu me tre realizime në 7 minuta të paharrueshme, pra duke shënuar 21 pikë, për rezultatin final, 31-20. E gjitha kjo, në një ndeshje fundore në stadiumin e Majemit në Florida, dhe ndaj skuadrës me mbrojtjen më të fortë në botë. Mahomes u shpall si Lojtari më i mirë i Ndeshjes, një krenari e veçantë për djalin e një nëne të bardhë dhe babai zezak.

Nuk ishte e lehtë për Kanzas Sitin ndaj një klubi me kaq shumë traditë sa San Francisko, pesë herë kampione e futbollit amerikan, me 7 finale të luajtura. Aq e madhe është lavdia e San Franciskos, saqë policët e trafikut ndodhte që ndalonin qarkullimin për t’i hapur rrugën skuadrës nga Kalifornia.

Ky ishte titulli i dytë në Superboul për ekipin nga Misuri, dhe i pari pas 50 vjetësh. Në transmetimin televiziv reklamat 30-sekondëshe kishin tarifën nga 5 deri në 5.6 milionë USD, për vetë nivelin e shikueshmërisë në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë rruzullin tokësor. Finalja ishte edhe një spektakël i nivelit botëror, dhe në pushim të ndeshjes shfaqja u dha nga Shakira dhe Xhenifer Lopezi.

Sfidanti.al