Prej dy vjetësh nuk e ka zakon të humbasë dy ndeshje radhazi. Miluoki dhe Janis Antetokumbo nuk lejuan që kjo të ndodhë përsëri, dhe reaguan pas një disfate, duke fituar ndaj Feniksit, 129-108. Natyrisht, ata përfituan edhe nga tre mungesa të rëndësishme të kundërshtarit, por sukseset e këtij sezoni janë më së shumti për meritën e tyre.
Antetokumbo shënoi 30 pikë, kapi 19 topa në tabela e shërbeu 9 asistë, duke iu afruar tripëll dabëllit. Natyrisht, kontributi i tij për skuadrën është shumë më tepër, në lojën në mbrojtje dhe në atë në sulm, e duke dhënë shembullin për shokët e tij.
Është fat që lojtari më i mirë i sezonit të kaluar ka në krah basketbollistë të tillë si Kris Midëllton (25 pikë, 8 tabela, 6 asistë), Bruk Lopez (17, 4, 1), Donte Divincenso (15 pikë), apo Erik Bledsou (12, 7, 4). Miluoki kryeson Konferencën Lindore me 42 fitore e 7 humbje, rekordi më i mirë në NBA (Lejkërsat kanë 11 humbje në Perëndim), dhe padyshim është kandidati kryesor për titull.
Sfidanti.al