Gjokoviç, nga radha për qumësht, në triumfet e Grand Slemeve!

Natyrisht, nuk është kjo e gjithë panorama. Është e qartë se kampioni i Australian Openit është rritur në kushte më të vështira sesa Rozher Federer apo Rafael Nadal, por kjo nuk do të thotë se po fiton për këtë arsye. Shumë njerëz në Serbi, por edhe në Shqipëri, janë rritur në vështirësi, por sot nuk janë kampionë të mëdhenj si Novak Gjokoviçi. Gjithsesi triumfuesi i Melburnit, e dha versionin e vet.

“Nuk mund të flas në emër të Rozherit apo Rafës, – u shpreh Nole, kur u pyet sesi ka mundësi që treshja e madhe e gjen gjithnjë mënyrën për të fituar, – unë mund të flas vetëm në emrin tim. Ne jemi rritur në rrethana të ndryshme, në vende të ndryshme, kemi pasur rrugë të ndryshme në jetë”. Më pas, kampioni serb thotë sesi “unë jetova në vitet 90-të në Serbi ku kishte mungesa, nga lufta, sanksionet, kemi mbajtur radhë për bukë, qumësht, ujë, apo gjërat e domosdoshme, por kjo më ka bërë të fortë”. “Kur kthej sytë prapa, – vazhdoi ai, – kuptoj se ku e gjej forcën mendore për të rezistuar në momente të vështira”.

Sfidanti.al