U bë gati një orë që u mbyll në dhomën e zhveshjes së miqve në “Uajt Hart Lejn”, dhe i shqetësoi të gjithë duke mos dalë prej aty. Pep Guardiola u duk sikur preu “biletë me një sens”, kur hyri në dhomë dhe (besohet) bisedoi me lojtarët e tij, pas humbjes 0-2 ndaj Totenhemit. Gazetat britanike shkruajnë se vizita e trajnerit mbajti 50 minuta, diçka krejtësisht jo e zakonshme, dhe tregon për një tension të madh. Gjithsesi, kur ai doli te gazetarët e hodhi poshtë këtë variant.
“Të kritikoj lojtarët e mi? – tha ai, – t’i kritikoj pas kësaj paraqitjeje? Në asnjë mënyrë. Nuk pata debat me lojtarët, por bisedova me stafin tim. Me një lojë kaq të mirë, do të kisha gabuar nëse do t’i kisha kritikuar. Ne e humbëm ndeshjen, luajtëm mirë, por humbëm. Patëm shumë mundësi për të shënuar, por nuk i realizuam. Ata patën dy raste, dhe shënuan dy gola. Janë gjëra që ndodhin, ndërsa për titullin mos pyesni, pasi Liverpuli është i pandalshëm”.
Sfidanti.al