Barcelona nuk ka mesfushë për “krujfizmin” e Kike Setienit!

Formacioni ndaj Levantes ishte ky: Ter Shtegen, Zhordi Alba, Lengle, Pike, Semedo, Buskets, De Jong, Rakitiç, Ansu Fati, Mesi, Grizman! Me Suarezin të dëmtuar dhe Dembelenë ende jo të rikthyer për të luajtur, kjo 11-she e Barcelonës duket se nuk ka të sharë, dhe fotoja për kopertinë ngjan e shkëlqyer. Gjithsesi, në minutat e fundit ndaj Levantes në “Kamp Nou”, në një ndeshje që duhet cilësuar normalisht e përballueshme, katalanasit rrezikuan shumë dhe shikonin orën se kur po përfundonte.

“Barça ka një problem në mesfushë”, – shkruan “Marka”. Me gjasë, është çështje e mënyrës sesi duhet luajtur në mesfushë, me Busketsin dhe Rakitiçin jo në formën e tyre më të mirë, dhe me De Jongun që ende duhet të përshtatet. Kur edhe Lengle e Pike mund të mos jenë në 100 për qind, dhe kur lojtarët e krahut të lëkunden, atëherë mesfusha nuk mbahet. Në minutat e fundit, trajneri Setien pati 5 mesfushorë për të mos lejuar që një skuadër modeste si Levante t’i merrte qendrën e fushës.

Dy golat e Ansu Fatihut, dhe magjitë (jo aq të shpeshta) të Lionel Mesit, vështirë se mund të ndryshojnë fatin e një skuadre kaq të madhe, ndërsa Grizman vazhdon të jetë një enigmë. Setien ka provuar disa skema, në ndeshjet që ka drejtuar katalanasit, si 4-3-3, 3-5-2 apo 4-4-2, dhe ende është në kërkim të asaj që duhet. Gjithsesi, nëse nuk do të ketë lojtarët, çfarë skemash mund të sjellin sukses? Gazeta “Marka” ngacmon përsëri duke shkruar se “për Kike Setienin, “krujfizmi” zgjati vetëm 3 ndeshje”. Trajneri është shprehur se “dua që në varrin tim të shkruhet që fitoi Championsin me Barcelonën”. “Hej Senjor”! Mos e përmend vdekjen, por kjo është një ëndërr shumë e vështirë për t’u realizuar.

Sfidanti.al