Ja edhe blerjet e janarit erdhën, me përjashtim të një sulmuesi. Nuk mund të thuhet se nuk ka stol për Interin e Milanos, por gjithsesi paraqitja ndaj Udinezes tregoi se milanezët kanë nevojë ende për “t’u kurdisur” siç duhet. Dakord, ishin dy golat e Romelu Lukakut, që siguroi fitoren në pjesën e dytë, shkëlqeu portieri i ri, Padeli, në vend të Handanoviçit të lënduar, ndërsa Aleksis Sançez u duk i lëvizhëm për 30 minutat që luajti.
Sidoqoftë, edhe pse në fushë ishin Kristian Erikseni, Mozesi dhe Eshli Jangu, sërish Udineze i bëri “zbor” miqve në pjesën e parë, duke krijuar disa raste. Erikseni nuk u duk ai që duhet të jetë, por ndoshta kërkon kohë. Mungesa e Lautaro Martinezit u ndje dhe Espozito, sipas mediave italiane, ishte zhgënjim. Kënaqën sidomos zëvendësuesit Brozoviç e Sançez, pa dyshim Lukaku, autor i dy golave pas pushimit. Deri tani ka 20 rrjeta për sulmuesin belg.
“E shikoni që vlen kur hedh më shumë cilësi në fushë, – ishin fjalët e Kontes, – një skuadër si Interi, duhet të ketë edhe një stol të rëndësishëm, që e lejojnë trajnerin të bëjë zëvendësimet në momentin e duhur. Nuk mund të kritikoj Bastonin apo Espoziton, pasi janë shumë të rinj. As Eriksenin nuk e kritikoj, e hodha në fushë sepse nuk kisha Sensin, Galiardinin dhe Borha Valeron. Për një djalosh që ka vetëm 5 ditë që punon me ne, nuk ishte aspak keq”. Interi ka 51 pikë në 22 ndeshje, vetëm tri pikë prapa Juventusit.
Sfidanti.al