Shyqyr zotit që Partizani u çua nga gjumi në pjesën e dytë në Lezhë, sa për të mbyllur portën, sepse humbja mund të kishtë qënë edhe më bujëmadhe. 3 gola në Lezhë , në një ndeshje pa sens për kampionët, në të vërtetë s’ janë fundi i botës, por, askush nuk e mendonte se “demat” do ta fillonin 2020-tën me një rrokapujë të tillë. Çka ndodhur me kampionët që po dalin në fushë të pamotivuar, aq sa trajneri Sormani e shpall dorëzimin e tij me këto fjalë: “ Nuk funksionoi asgjë. I marrë unë përgjegjësitë”. A mjafon kjo frazë plot “sakrificë” e trajnerit për të shpjeguar kapitullimin kampion në Lezhë ? Është në modën e lojës sonë , madje zakonin e ka kalcifikuar ekipi Kombëtar, që kur futbollistët dezertojnë teknikisht, por më shumë moralisht, shfaqet trajneri si “kurban” i ndeshjes.
Drama e Partizanit bëhet më e madhe sesa pesha e 3 golave, sidomos kur trajneri Sormani thotë se detyra e tij është që t’i japë shpirt ekipit, sepse futbollistët nuk e kanë më! Nëse me të vërtetë është punë shpirti, atëherë do të pyesnim me naivitet: ku shkoi shpirti i Partizanit? Nuk paska qënë i vërtetë betimi i një viti më parë se, kur dalin në fushë janë gati të vdesin për fanelën historike që kanë veshur?! Ka shumë pikëpyetje për krizën e kuqe dhe frika bëhet më e madhe kur nuk diskutohet më për çështje madhore të lojës, por ekipit i paska ikur shpirti dhe për fat të keq..nuk po kërkon ta gjejë!
Sfidanti.al