Nejmar synon Championsin, por edhe kthimin tek Barcelona!

Në “Kamp Nou” e dinë mirë, por po ashtu e di edhe braziliani. Destini është që ata të takohen sërish dhe të jetojnë së bashku të lumtur, apo aq sa mund të jetë i lumtur një binom i tillë. Nejmar po shkëlqen me Paris SG, duke u kthyer nga “armiku i popullit” në “idhullin e tifozëve”, por askujt nuk duhet t’i shkojë ndër mend se “macja” u kthye në “qen shtëpiak”. Me 15 gola e 9 asistë në 17 ndeshje këtë sezon (tepër pak, për shkak dëmtimi), sulmuesi është në formën e jetës.

Pavarësisht se në verë shkaktoi një “luftë civile” në Paris, sërish Nejmar nuk do të refuzonte aspak nëse do të mund të fitonte Championsin me fanelën e PSG-së. Diçka e tillë edhe mund të ndodhë (nëse e lejojnë Liverpuli, Reali apo Bajerni), por edhe nëse ia arrin, sërish objektivi i tij mbetet kthimi në “Kamp Nou”. Vetëm atje, Nejmar do të kishte mundësi të luante në nivelet më të larta, e tillë është La Liga në krahasim me ligën franceze, do të kishte më shumë shanse për Championsin, dhe për të fituar Topin e Artë. Gjithë këta vjet Topat e Artë kanë qenë ose të Barcelonës, ose të Realit, apo më parë të Mançester Junajtidit e Milanit. Asnjë nga liga e parë e Francës. Vetë Barça e di se me “plakjen” e Suarezit, dhe me moshën e shtyrë të Mesit, Nejmar do të ishte kampioni që do të merrte stafetën.

Sfidanti.al