Do të jetë sukses a zhgënjim italiani i Leisterit dhe Juves, I njohur nga Sormani?!

Erdhi nga Italia, dhe atje ka disa njohje. Adolfo Sormani synon të zëvendësojë Jasir Asanin, tashmë të larguar drejt Suedisë, dhe e ka një ide. Me kampionët e Shqipërisë, që stërviten në Antalia, është bashkuar një italian 25-vjeçar, të quajtur Davide Lorenco. Shtatlartë, 1.89 metra me rol lojtar krahu, ai njihet nga trajneri i Partizanit, që e ka stërvitur tek ekipet e të rinjve të Akademisë së Juventusit.

Nuk dihet nëse prova do të përfundojë me sukse apo jo, por dihet historia e veçantë e italianit, që ka pasur peripeci të jashtëzakonshme në futboll. Pasi provoi skuadra të vogla si Vogerën e Noçerinën në Itali, kaloi në Norvegji, në Maltë, në Zvicër, si dhe në Shtetet e Bashkuara, kudo me klube modeste,  Në moshën 24-vjeçare takoi presidentin e Leisterit, të ndjerin Viçai Srivad-dhana-prabha, në rrethana krejt të habitshme.

Lorenco punonte si kamarier në një restorant në Nisë të Francës, dhe aty i shërbeu ish-miliarderit tajlandez, dhe i kërkoi që ta ndihmonte për t’u kthyer në futboll. Ish-presidenti humbi jetën pak muaj më vonë, ndërsa kishte lënë porosi që Lorenco të provohej tek Leisteri. Prova kaloi me sukses, dhe italiani ishte për 6 muaj pjesë e ish-kampiones së Anglisë, por pa mundur të fitonte konkurrencën.

Leisteri e la lojtarë të lirë verën e kaluar, dhe tani, pa kaluar shumë muaj, Davide Lorenco ka shansin tjetër, më modest sesa në Angli, por sërish të rëndësishëm. Ai mund të bëhet lojtar i Partizanit të Tiranës.

Sfidanti.al