Kjo është pyetja më e thjeshtë dhe më normale, kur mësohet një lajm i tillë. Zhoze Murinjo ia ka vënë syrin qendërmbrojtësit të Realit, Rafael Varan, për të forcuar repartin mbrojtës tek Totenhemi. Trajneri portugez, i ndërgjegjshëm sesa e vështirë është të “thyhen” madrilenët, dhe të kandiset kampioni i botës për t’u larguar nga “Santiago Bernabeu” ka lëshuar “gjylen” e parë. Sipas mediave, ka ofruar 80 milionë euro për kartonin e francezit 26-vjeçar.
Në të vërtetë, duket shumë e vështirë që Varan të largohet nga Madridi, ku ka garanci për të fituar trofe, dhe të shkojë tek Totenhemi që ka vite pa asnjë kupë, por po ashtu do të jetë e vështirë që Reali të pranojë të mbetet pa një nga mbrojtësit më të mirë të botës, aq më tepër kur ai sapo ka hyrë në moshën e pjekurisë në futboll. Murinjo, me gjasë, mund ta rrisë ofertën, ose ndoshta kjo është një lëvizje taktike për të tërhequr vëmendjen nga ndonjë transferim tjetër, më i mundshëm.
Sfidanti.al