Pavarësisht fitoreve radhazi, vështirë se do të mbetet në stol. Emanuel Egbo mund të jetë heroi i momentit për Tiranën, por klubi duket se do të kërkojë një zgjidhje tjetër për rolin e trajnerit, me shumë gjasë nga jashtë vendit. Burime pranë kryeqytetasve pohojnë se është biseduar me Ilija Lonçareviçin, kroatin që ka qenë teknik tek bardheblutë në 2009. Lonçareviç është në moshë të madhe, 75-vjeçare, të ngjashme me atë të trajnerit të kombëtares Edi Reja, ndërsa mësohet se ai ka refuzuar që të kthehet.
Një tjetër kandidaturë, që mund të jetë më shumë serioze është ajo nga Italia, e një ish-trajneri të Partizanit. Sipas burimeve pranë Tiranës, ai është Andrea Agostineli, 62-vjeçari që drejtoi të kuqtë në 2016 dhe po në 2016 u ul në stolin e Skënderbeut. Tekniku italian la përshtypje të mira tek të kuqtë, duke triumfuar në Korçë ndaj Skënderbeut, ndonëse nuk vazhdoi më tej, ndërsa sot ai është opinionist futbolli në Itali. Pak gjasa ka që kandidat për stolin të jetë italiani tjetër i Partizanit, Adolfo Sormani, ndërsa për momentin nuk ka alternativa nga Shqipëria.
Sfidanti.al