Teuta fiton në Vlorë, mbetet në pretendime në Superligën e çudirave!

Mund të humbasësh, por mjafton të kthehesh tek fitoret për të qenë në pretendime. Superliga shqiptare nuk e humbi një nga mëtuesit për titullin apo për Europën të këtij sezoni, Teutën e Durrësit, që duket se ka lënë pas krizën. Fitorja në Vlorë ishte e parashikueshme dhe ajo erdhi, me vonesë vetëm të një dite për shkak të kushteve atmosferike.

Tashmë pas suksesit 3-1, bregdetasit janë vetëm tri pikë larg vendit të parë që mbahet nga Kukësi. Flamurtari nuk mundi t’i bëhej pengesë një skuadre që ka gjetur ritmin, të paktën përkohësisht dhe që ka në përbërje lojtarë interesantë, pjesë e një klubi që ofron siguri, dhe me një trajner me personalitet si Edi Martini.

Emiliano Vila ishte autor i dy golave, ndërsa një tjetër e realizoi futbollisti i talentuar Kallaku. Durrsakët kontrolluan në përgjithësi ndeshjen, që u nis nga minuta e 9-të, aty ku u ndërpre një ditë më parë, ndërsa mund të kishin shënuar edhe më shumë gola.

Flamurtari nuk është se nuk e bëri përpjekje, madje iu afrua edhe golit, dhe arriti ta shënonte në fund, por e gjitha kjo u duk shumë pak dhe një skuadër me kaq shumë traditë në futbollin shqiptar duket e dorëzuar në fatin e saj, dhe po bie nga Superliga.

Sfidanti.al