Lerda u largua, por ende jo kompleksi i Partizanit për trajner të huaj!

Prej pak orësh, kampionët e Shqipërisë kanë lajmëruar se kanë ndarë rrugët me (ish) trajnerin Franko Lerda. Përfundimi logjik, dhe jo vetëm për humbjen në derbi, erdhi pas ecurisë së dobët të kohëve të fundit, gjatë së cilës Partizani arriti vetëm 1 fitore, 2 barazime (një prej tyre me Flamurtarin) dhe 2 humbje, duke rënë nga +4 pikë ndaj rivalëve, në -2. Rezultatet, por edhe mënyra e lojës si dhe fjalët për konflikte të shumta në gjirin e skuadrës dhe stafit teknik ishin shkaqet që detyruan presidentin Gazmend Demi që të shkarkonte Lerdën.

Ai pasoi Skënder Gegën, një trajner ndoshta jo prej karrierë të gjatë, por gjithsesi tepër të respektuar, shumë serioz dhe të ekuilibruar, që krijoi një Partizan të fortë (edhe pse jo spektakolar), dhe që diti të arrinte mrekullinë, të fitonte titullin e parë kampion në 26 vjet. Lerda nuk u tregua në nivelin e duhur për të pasuar Gegën, dhe as nuk e justifikoi vendimin e drejtorit Olsi Rama për ta zgjedhur përpara trajnerëve shqiptarë si Ilir Daja, Shpëtim Duro apo Armando Cungu.

Lerda është italiani i radhës që nuk ka sukses tek Partizani, pas Sormanit, Agostinelit dhe Iulianos. Me largimin e tij, skuadra duhettë quhet e çliruar nga ngërçi, por nuk është e sigurt nëse është larguar edhe kompleksi i drejtuesve partizanas për një trajner të huaj, veçanërisht nga Italia.

Sfidanti.al