Rashica shënon golin e 7-të në Bundesligë, lavde edhe nga Serbia!

Media e Beogradit, “Telegraf” nuk ia kurseu lavdërimet. Për të, Milot Rashica shënoi një gol të denjë për mjeshtrat më të mëdhenj të botës në futboll, edhe pse goditja e tij ishte e vetmja gjë që mundi të bënte Verderi në fazën sulmuese ndaj Bajernit. Shqiptari i Kosovës realizoi në minutën e 24-të me lëvizje të shkëlqyera, duke “dehur” Boatengun, e duke shtangur Nojerin.

Ky ishte goli i 7-të i tij këtë sezon të Bundesligës, në të cilën ka luajtur 12 ndeshje. Ai është lojtari më i mirë i ekipit të tij, një nga kënaqësitë e pakta për tifozët, në një edicion që Verderi po rrezikon statusin e tij si skuadër e elitës. Bajerni reagoi dhe fitoi duke përmbysur rezultatin që në pjesën e parë, e duke triumfuar me shifrat përfundimtare 6-1. Filip Kutinjo ishte lojtari më i mirë në fushë, duke shënuar 3 gola.

“I lumtur për golin, por shumë i dëshpëruar për humbjen e skuadrës, – tha Rashica më pas, – pavarësisht se po luanim ndaj Bajernit, ne nuk mund t’i lejonim vetes një disfatë të tillë. Gjithsesi kam besim se do ta marrim veten”. Ish-lojtari i Verderit dhe i kombëtares gjermane, Diter Ajlts, e kishte parashikuar se Rashica do të kishte sukses ndaj bavarezëve. “Bajerni ka problem ndaj sulmuesve të shpejtë, – u shpreh ai për “Vezer Kuririn”, – ky është një shans për Rashicën”.

Sfidanti.al