Barça nuk pranon të shtyjë derbin, Reali nuk pranon të zbresë nga avioni!

Po kthehet në një tërheqje litari, edhe pse ka mundësi që të mos i shkohet kokëfortësisë deri në fund. Pavarësisht nga kërcënimet për sigurinë në “El Klasiko”, klubi i Barcelonës nuk dëshiron që të dëgjojë për një tjetër shtyrje të derbit të La Ligës ndaj Realit. Presidenti Bartomeu ka deklaruar se mjafton një shtyrje, dhe se nuk ka më mundësi në kalendar, si dhe nuk ka kuptim që të diskutohet ende për këtë gjë. “Ndeshja do të luhet dhe përgjegjësinë për sigurimin e kemi ne, – tha ai, – El Klasiko nuk do të shtyhet sërish. Momenti është i vështirë, por mendoj se mund të luhet futboll”.

Gjithsesi, në Madrid mendojnë ndryshe. Reali bën me dijë se në radhë të parë ka rëndësi siguria e lojtarëve të tij, e stafit teknik dhe e gjithë delegacionit. “Nëse do të kuptojmë se do të ketë rrezik nuk kemi ndërmend të luajmë me sigurinë tonë, – deklarohet nga kryeqyteti, – madje, nuk kemi ndërmend të zbresim fare nga aeroplani”.

Sfidanti.al