Ju kujtohen fjalët e para të trajnerit Julian Ahmataj tek Tirana? “ Tirana është pretendente për titullin kampion”. Këto ditë që e kanë shkarkuar, nuk i mësuam dot fjalët e fundit të trajnerit të saposhkarkuar. Thonë se është bërë pishman si dreqi, që nuk iku nga stoli qysh atë ditë që dha dorëheqjen dhe do të kishte shpëtuar pa e marrë me vete dhe barrën e asaj humbjes turpëruese me Kukësin. Sido që të jetë, për ta bërë më spektakolar aktin e shkarkimit të trajnerit, kjo që ndodhi i shkon më shumë lojës sonë plot tradheti. Fabula ka një moral të qartë: trajnerët nuk mund të ikin me kokën e tyre, sepse ndryshe mbeten pa punë presidentët, pa shijuar atë që quhet “orgazma e shefit”.
Mu në prag të ndeshjes derbi, kur predikohet se ky është momenti ideal për të përmbysur “rregjimin e kuq”, në stolin e Tiranës nuk ka trajner. Siç duket, ngaqë kanë humbur një mori ndeshjesh derbi me trajnerë nga më të mirët e tregut, le ta provojnë këtë herë pa “tersin” që vjen nga stoli. Kështu, s’është për të bërë dramë që Tiranën në ndeshjen e madhe të sezonit, do ta drejtojë trajneri i portierëve , nigeriani Egbo. Sikur të fitonte Tirana këtë herë, vetëm këtë herë, atëherë do të “bindeshim” se , tërë këto vite, e paskan patur tersin trajnerët ..që nuk paskemi ngritur kokën në ..derbi!
Sfidanti.al