Magani-Starova-Ahmataj, “rebusi” tek Tirana nuk dëshiron të zbulohet!

Ka të reja të tjera nga klubi ku nuk mungojnë lajmet. Tiranës mund t’i mungojnë titujt kampion prej 10 vitesh, veçse jo telenovela e zëvendësimit të trajnerëve, që duket se do të ketë një tjetër seri. Gugash Magani, njeriu që e drejtoi në vitet 2013-2014, pritet të kthehet në stol.

Detyrën e mban ende Julian Ahmataj, njeriu që zëvendësoi Ardian Memën, por duket se drejtuesit e klubit e kanë ndarë mendjen për ndryshim. Lajmet janë që tek Tirana do të emërohet një drejtor i përgjithshëm, dhe flitet pikërisht për Sulejman Starovën, ish-trajner i Tiranës në sezonin 2004-2005. Nëse ndodh kështu, atëherë trajneri i ri do të zgjidhet në bazë edhe të opinionit të Starovës, si një specialist me përvojë i futbollit shqiptar.

Tek Tirana menduan fillimisht që të afronin Bledar Devollin, teknikun e ekipit të të rinjve, i cili ka qenë kandidat edhe më parë, por në vazhdim presidenti Halili vendosi të priste dhe të shqyrtonte edhe emra të tjerë. Duket se në klubin kryeqytetas gjykojnë se skuadra ka nevojë për një drejtues me përvojë që të përballojë presionin, sidomos në një moment kaq të vështirë. Vetë Starova u konsiderua si emër për stolin, por duket se i mbiquajturi “Bobi” pëlqen më shumë të jetë drejtor sesa të veshë sërish tutat e trajnerit.

Sfidanti.al