Lionel Mesi, nga fitorja e Topi i Artë tek ndeshja e radhës!

Suksesi i tij ishte një sekret që dihej në të gjithë botën, ndërsa kundërshtarin më të madh historik nuk e kishte aty. Lionel Mesi e mori për herë të 6-të Topin e Artë të “Frans Futbollit”, madje trofeu i çmuar iu dorëzua në Paris nga një person i veçantë, fituesi i vjetshëm Luka Modriç. Një kurorëzim i merituar i një karrierë të jashtëzakonshme, e cila ende vazhdon, por që duket se dalë nga dalë po i afrohet fundit.

Së pari, argjentinasi falenderoi njerëzit në Barcelonë, në qytetin e jetës së tij, padyshim nuk harroi as familjen. “U jam shumë mirënjohës njerëzve në Barcelonë, – tha Mesi, – jam shumë i lumtur. Rutina e përditshme nuk më lejon të gëzoj gjithçka kam fituar, por do të gëzoj sot, bashkë me familjen time. Do të shijoj gjithçka kur të kem kohë. Tani për tani, gjithçka shkon kaq shpejt, saqë unë nuk mendoj dot gjë tjetër përveç, ndeshjes së radhës. Unë e di moshën që kam, prandaj ky trofe më kënaq edhe më shumë”.

Në vendin e dytë të renditjes doli Virgil Van Dajk, mbrojtësi i cilësuar si më i miri i botës. “Karriera ime është e ndryshme nga ajo e fituesit këtu, – tha holandezi i Liverpulit, – unë erdha vonë, por nuk u dorëzova kurrë. Natyrisht, do të kisha dashur të fitoja, por duhet të respektojmë madhështinë. Ai që fitoi është mbinatyral”. Shoku i Van Dajkut tek Liverpuli, Alison, u shpall portieri më i mirë i botës, pasi fitoi Championsin si dhe Kupën e Amerikës me Brazilin. Matijs De Ligt i Juventusit fitoi trofeun e lojtarit më të mirë të vitit U21. Topin e Artë për femra e fitoi Megan Rapinoi e SHBA-së.

Sfidanti.al