Konte, krenar për Interin, por entuziazmi të mos jetë mendjemadhësi!

Për pak u humbën dy pikë në një ndeshje që, sipas trajnerit, meritohej plotësisht që të fitohej. Antonio Konte nuk di se çfarë të bëjë më parë, të hidhet përpjetë nga kënaqësia që Interi i tij u kthye në krye të Serisë A, apo të nervozohet se lojtarëve zikaltër “iu fikën dritat” në minutat e fundit. “Entuziazmi pozitiv që kemi, – u shpreh tekniku, – duhet të na ndihmojë që t’i luajmë ndeshjet siç duhet deri në fund. P.sh. ndeshjen me Spalin e mbajtëm të hapur dhe e rrezikuam, ndonëse meritonim absolutisht që ta fitonim”.

Gjithsesi, kënaqësia nuk mund të mohohet. Interi ka 37 pikë në 14 javë, rekord absolut për klubin zikaltër në Serinë A, më mirë edhe se Xhovani Trapatoni i rekordeve në 1988-1989, edhe më mirë se Zhoze Murinjo apo se Interi i Madh i Helenio Herrerës në vitet 60-të. “Punojmë që nga dita e parë për t’u bërë frika e të tjerëve, – tha Konte, – po bëjmë diçka shumë të mirë. Kanë kaluar 14 javë dhe rikthimi në krye na mbush me krenari. E dimë se çfarë kemi hequr për të arritur deri këtu. Procesi i rritjes ende nuk ka përfunduar”.

Sfidanti.al