Vardari, Crvena Zvezda, Partizani, Dinamo, etj., ashtu si në kohët e vjetra, përsëri do të dalin, së bashku, në fushat e futbollit në kuadrin e një lige rajonale të re, ndërkohë që fituesi i kësaj lige do të mund të kualifikohet direkt në Ligën e Kampioneve të Evropës. Në shtator 2018, klubet e rajonit do të mund të fillojnë betejën për trofeun e ligës së mësipërme,te cilën disa e quajnë ballkanike, ndërsa disa të tjerë rajonale. Tani për tani, është e qartë se emri i ligës ende nuk është përcaktuar definitivisht, por kjo, sigurisht, që nuk ka shumë rëndësi, pasi në vend të parë është dëshira e klubeve që të zhvillojnë sa më shumë ndeshje. Sidoqoftë, deri tani, kjo ligë është në formim e sipër, por e rëndësishme është se ajo ka mbështetjen e madhe të presidentit të UEFA-së, sllovenit Aleksandar Çeferin. Sikurse dihet, kjo ide e ka zanafillën te Federata e Futbollit të Maqedonisë.
Në fakt, që nga viti 2018, do të fillojë edhe reformimi i Ligës së Kampioneve, kështu që, për këtë arsye, është e nevojshme që të krijohet një konkurrim i ri, ku klubet e rajonit tonë do të kenë mundësinë që të zhvillojnë ndeshje cilësore gjatë disa muajve. Krerët e klubeve nga Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina, Kroacia dhe Sllovenia, tanimë, e kanë dhënë mbështetjen e tyre për idenë e lartpërmendur. Sidoqoftë, e rëndësishme është që kjo ide të gjejë një terren pjellor edhe në UEFA. Sipas modelit që është përgatitur deri tani, ndeshjet do të duhet që të fillojnë në shtator 2018, ndërsa, atëkohë, do të luhen edhe ndeshjet kualifikuese të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve dhe të Ligës së Evropës.
Ata klube që do të luajnë në këto dy kupa, nuk do të marrin pjesë në ligën rajonale të lartpërmendur, ndërkohë ata ekipe që nuk do të vazhdojnë të avancojnë në dy kupat e mësipërme të Evropës, do të mund të kalojnë në ligën rajonale, ku është parashikuar që të marrin pjesë 24 ekipe, të ndarë në gjashtë grupe me nga katër. Deri tani, po punohet edhe për një plan që nga kjo ligë të sigurohet një vend, direkt, në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që finalisti tjetëri i ligës rajonale të kalojë në Ligën e Evropës.
Sipas gazetës maqedonase, “Veçernji Novosti” që u referohet burimeve të saj në UEFA, çdo ekipi që do të marrë pjesë në ligën ballkanike ose rajonale, që në fillim të konkurrimit, do t’i derdhen në konto 800 000 euro. Nga UEFA, sikurse thuhet, gjithsej, janë siguruar 19,2 milionë euro si buxhet bazë, ndërkohë që çdo ekip do të marrë edhe shpërblime suplementare në varësi të ecurisë. Të ardhura shtesë për klubet rajonalë do të duhet të jenë edhe pjesë nga “kulaçi” i të drejtave televizive, si edhe nga shitja e biletave.
Sfidanti.al