Murinjo dhe historia e djalit të topave që ndihmoi Totenhemin!

Ndeshja e Championsit u fitua nga golat e shënuar nga Dele Ali, Harri Kejn (2) dhe Serzh Orie, veçse ishte edhe dikush tjetër që dha një dorë. Ky ishte një djalë i vogël që mblidhet topat në vijën anësore në stadiumin e ri “Uajt Hart Lejn”, dhe ai ia dha shumë shpejt topin Serzh Oriesë, duke e lejuar që të bënte menjëherë rivënien anësore në rastin e golit të barazimit të Harri Kejnit. Pasi u shënua goli, vetë Murinjo vrapoi drejt djalit të vogël, që ishte ulur në vendin e tij në cep të tribunës, ia bëri “qe palla” dhe e përqafoi.

“Më pëlqejnë shumë djemtë e topave që janë inteligjentë, – tha trajneri më pas, – unë kam qenë vetë i tillë kur isha fëmijë, dhe ky fëmijë ishte i shkëlqyer. Ai e lexon mirë ndeshjen dhe shërbeu një asist të vërtetë. U përpoqa ta ftoja në dhomën tonë të zhveshjes, por ai ishte larguar”. Gjithsesi, ka edhe një histori tjetër të Murinjos me fëmijët që mbledhin topat, siç e kujton lojtari i sotëm i Çelsit, Mejzën Maunt (Mason Mount). “Kur mblidhja topat, – thotë ai, – Murinjo na thoshte që të mos i jepnim shpejt sferat, kur ishim duke fituar ndeshjet e Championsit”. Në atë rast, Zhozesë nuk i duhej, pra, një asist, por një vonesë loje.

Sfidanti.al