U desh të kalonin vetëm 11 orë. Nga shkarkimi i Maurisio Poçetinos deri tek emërimi i Zhoze Murinjos, kjo ishte koha e pritjes për tifozët e Totenhemit. Trajneri portugez mori drejtimin e klubit londinez, duke iu dhënë madje dyfishi i rrogës së paraarhësit të tij, plot 15 milionë paundë stërlina në sezon. Presidenti Daniel Levi fillimisht vendosi largimin e teknikut argjentinas, një lëvizje që ai e cilësoi si tepër të vështirë, dhe të marrë pas një diskutimi të gjatë në bordin drejtues.
Poçetino hyri në historinë e Totenhemit duke e kualifikuar ekipin për herë të parë në finalen e Championsit, sezonin e kaluar, dhe duke e bërë skuadër të rregullt pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve. Ai synoi titullin e Premier Ligës, por ofertat e shumta për lojtarët kryesorë bënë që londinezët të hynin në krizë rezultatesh sidomos në kampionat, ku ndodhen në vendin e 14-të, si dhe duke pësuar humbjen e rëndë në Europë, 2-7 ndaj Bajernit, brenda në shtëpi.
Murinjo, ndërkaq, mbetet një nga trajnerët më të mëdhenj të botës, dhe në moshën 56-vjeçare ka fituar gjithsej 25 trofe me Porton, Çelsin, Realin e Madridit dhe Mançester Junajtidin. Ai u shpall dy herë kampion i Europës, si dhe fitoi kampionate në Portugali, Angli, Itali e Spanjë. Pas shkarkimit nga Junajtidi dhjetorin e kaluar, ai nisi punë si analist televiziv, por gjithnjë në pritje të rikthimit.
Shumëkush dyshoi nëse ai do të mund të jetë më i suksesshëm, dhe kthimi në Premier Ligë mund të quhet një revansh i Murinjos, por sfida sapo ka filluar dhe prova e parë do të jetë këtë të shtunë në fushën e Uest Hemit.
Sfidanti.al