Klaus Gjasula, nga postier në kapiten Bundeslige dhe lojtar kombëtareje!

Lindi larg Gjermanisë, 30 vjet më parë. Ishte Tirana qyteti i parë i Klaus Gjasulës, pikërisht në prag të kaosit të ndryshimit të sistemeve, ndërsa bebja shqiptare do të largohej nga ky kaos, për të gjetur fatin e tij. Mesfushori, që është sot një nga shtyllat e kombëtares dhe lojtar fiks i Bundesligës, kaloi një histori aspak të lehtë, derisa nisi shkëlqimin në futbollin profesionist.

U desh të bënte shumë rrugë nga ekipet e të rinjve, dhe tek ligat amatore e gjysmëprofesioniste. Po ashtu, provoi edhe punë shtesë, pasi sporti nuk ia siguronte jetesën siç duhet, ndaj edhe u vesh postier me 2 000 euro rrogë në muaj, jo larg por 6 vjet më parë kur luante tek Kikersi i Ofenbahut. Këtë histori të tij të veçantë e tregoi tabloidi “Bild”, që i kushtoi një shkrim, duke e quajtur “profesionisti me helmetë”.

Sot, Klausi është ndryshe, ai është kapiten në Bundesligë pasi mban shiritin tek Paderborni, skuadra që u ngjit në elitë pikërisht këtë sezon. Në kombëtaren shqiptare po ashtu është i padiskutueshëm në formacion, një nga lojtarët më të mirë në mesfushë, jo vetëm në fazën mbrojtëse, por edhe në atë sulmuese, duke dhënë pasime për gola. Kanë kaluar 6 vjet nga puna në postë, sërish nuk merr një rrogë të jashtëzakonshme, rreth 300 000 euro në vit, por Klaus Gjasula e ka realizuar ëndrrën e tij, duke hyrë në Bundesligë dhe në kombëtare në moshën 29-vjeçare.

Sfidanti.al