Stefanos Cicipas, tenisi botëror do ta mbajë mend këtë emër!

Prej shumë vitesh kërkoheshin pasardhës të denjë të treshes së madhe, dhe ndoshta tani u gjet i duhuri. Një 21-vjeçar nga Greqia, me emrin Stefanos Cicipas, mund të jetë përgjigja për pikëpyetjet e vjetra, dhe njeriu që mund të pasojë në “Olimp” Federerin, Nadalin e Gjokoviçin. Cicipas fitoi një turne të madh si Finalet Masters në Londër, duke mundur në ndeshjen fundore një tjetër të ri të talentuar, austriakun Dominik Tim (Thiem). Finalja ishte e fortë, dhe i përkiti Cicipasit 2-1, dhe me rezultat të seteve 6-7, 6-2 e 7-6.

Cicipas u bë fituesi më i ri i këtij turneu që nga viti 2001, dhe debutuesi më i ri që fiton që nga viti 1978 kur ia doli Xhon Mekinroi. Djaloshi 21-vjeçar zotëron një talent dhe një stil të shkëlqyer, të krahasueshëm me atë të Mekinoroit, ndërsa tenisin e mësoi në një nga hotelet e Athinës, ku prindërit e tij u jepnin leksione turistëve. “Nuk e di sesi ia dola, por as nuk po mendoja për këtë, – tha greku më pas, – ishte hera ime e parë këtu dhe emocionet janë shumë të mëdha. Jam shumë i lehtësuar që ia arrita qëllimit”.

Sfidanti.al