Jo më kot është tek Juventusi, Ronaldo i jep të drejtë Sarrit!

U mendua se golat e shënuar me Portugalinë dhe aktivizimi 180 minuta në 180 ishin një lloj sfide ndaj trajnerit të tij në Torino. Edhe mund të kenë qenë, por vetë Kristiano Ronaldo nuk deshi të vazhdonte me tone lufte, por i dha të drejtë Mauricio Sarrit. “Këto 3 javë nuk kam qenë shumë mirë, – pranoi ai, – kam luajtur dhe kam ndihmuar Juventusin duke qenë i dëmtuar. Trajneri ka pasur të drejtë, dhe gjestet e mia nuk janë ndonjë gjë e madhe. Të gjithë e dinë se nuk më pëlqen të zëvendësohem”.

CR7-ta pohoi se askujt nuk i pëlqen të zëvendësohet, por sqaroi se nuk kishte qenë në 100 për qind ndaj Lokomotivës së Moskës dhe Milanit. Besohet që një rol aspak të vogël në qendrimin e tij ka luajtur fakti që Juventusi është një klub shumë serioz dhe di të kontrollojë lojtarët e tij. Me gjasë, Ronaldo ka kuptuar se nuk do të kishte asnjë përfitim nëse do të vazhdonte konfliktin me Sarrin, pavarësisht sesa i rëndësishëm është për kampionët e Italisë.

Sfidanti.al