Disa vite më parë, me rastin e ditlindjes së presidentit Duka, një nga futbollistët e Kombëtares pati formuluar urimin e pavdekshëm se ..presidenti ynë është më i bukuri ndër presidentet e botës. Tani, me rastin e ditlindjes së stadiumit të ri “ Arena Air Albania” , është vetë kryeministri Rama që thotë se ky stadium është më i bukur se stadiumi i Juventusit. “ Inxhinieri fantastike”! Imagjonini sikur tanët të kishin fatin të uronin stadiumin e Totenhemit, atë UFO-n që kushtoi 1 miliardë euro, apo stadiumin e fundit që inaguroi zoti Ceferin i UEFA-s, perlën në Budapest, një stadium që nuk pati “privilegjin” të futej me sforco dhe me pahir mu në mes të qytetit . Ky i Budapestit kishte dhe dy “mungesa” të dukshme: nuk kishte kullën e famshme dhe kishte një faqe kallkan te stadiumit, që sipas shefave tanë, çmohet si zotësi inxhinierike sepse kumboka zëri dhe nga 20 mijë..në stadium duken 60 mijë vetë! Nuk thuhet se stadiumi me 20 mije vetë ngjason edhe më i vogël se ai që kishim “Qemal Stafa”… nga “magjia” që bëjnë me biletat!
Nuk dihet se si do të kombinojnë futbollistët tanë..sot në ndeshjen me Francën. Ishalla nuk e kanë mëndjen tek Andorra, ( sepse kur luajtën me Andorrën, mendjen e kishin tek Franca) por vetë shefat kanë dhënë shembullin se si dialogu mund t’i ngjasojë një loje me driblime dhe me finte . Një loje si ato që dimë të bëjmë ne! Ja një pjesë e “lojës” së dialogut të zotit Rama dhe presidentit Duka, në fushën e stadiumit që shkëlqen më shumë nga euforia sesa nga dritat…
Duka: Si ju duket fusha.. mo?
Rama: Reja tha se është më e mirë. Po është më e mirë(i drejtohet Dukës), se këtë fushë e kam bërë unë. Elbasanin e ke bërë ti.
Duka: Gjithë gjërat e mira i bën kryeministri.
Rama: T’i bëj një gol me penallti Strakoshës para se të ikim?
Duka: Strakoshës mund t’ia bësh, por Berishës jo.
Rama: Ja ku e ke(i drejtohet Berishës), nuk më ndahet.
Duka: Nuk të ka bërë gol ty?
Berisha: Më ka bërë më herët.
Ku fshihet goli në këtë bisedë të tipit bilardo? Penalltitë që gjuajtën shefat edhe mund të priteshin, por fraza e presidentit Duka ishte e pakapshme: “ Gjithë gjërat e mira i bën kryeministri..”
Sfidanti.al