Bomberi i Europës, Haland, i vendos vetë çmimin kartonit!

Ndoshta nuk e ka pasur idenë se deri ku ka arritur “bursa” për të. Erling Braut Haland, ylli norvegjez i Salcburgut, ka bërë shaka lidhur me çmimin e kartonit të tij, dhe nuk ka ngurruar të japë shifra. “Ju thoni, 20, 30, 40? – tha ai duke pyetur, – më mirë le ta bëjmë 60 (milionë euro)”. Këto ishin fjalët që Halandi tha pas ndeshjes së kampionatit austriak fituar 3-0 ndaj Volfsbergerit, dhe janë bërë shakaja e momentit.

Gjithsesi, vlera e kartonit të tij është më lart sesa e imagjinon vetë i zoti i punës. Mediat shkruajnë se është arritur deri në 100 milionë euro, diçka që edhe mund të mendohet për një sulmues që ka shënuar 26 gola në 18 ndeshje këtë sezon, me 7 rrjeta në 4 ndeshje të Championsit. Barcelona duket se “po e tërheq këmbën zvarrë”, Mançester Junajtid po “fërkon duart”, ndërsa në garë janë edhe Juventusi, Napoli dhe Lajpcigu.

Sfidanti.al