Nja 14-15 muaj më parë bëri një deklaratë dashurie (ndonëse të vonuar) për Atletikon e Madridit, dhe vendosi të mos shkonte tek Barcelona. Antuan Grizman ishte hero në “Uanda Metropolitano” gjatë sezonit të kaluar, por koha kaloi dhe ai u mendua sërish. Verën e shkuar pranoi transferimin, duke mos mbyllur dot plagët në “Kamp Nou”, e duke hapur të tjera në kryeqytet, ndërsa sot është në një gjendje të vështirë.
“Mesi dhe Grizman as nuk i flasin njëri-tjetrit, madje as në stërvitje”, thuhet në Spanjë, diçka që po shkatërron së brendshmi Barcelonën, siç e treguan humbja në Levante dhe barazimi në Champions me Sllavian e Pragës. Përse nuk flasin dy yjet? Me gjasë, Mesi është i mërzitur nga mosardhja e Nejmarit, të cilin e kërkoi me forcë gjatë verës, po ashtu është i shqetësuar nga dëmtimet e Luis Suarezit, shokut të tij më të mirë në “Kamp Nou”. Në krahasim me ta, Grizman nuk po e ngroh, pasi siç duket nuk po përshtatet me lojën që do kapiteni. Me gjastë, edhe natyra e francezit është e tillë, që ka respekt të madh për veten dhe nuk e cilëson veten të dytë ndaj askujt. Si të thuash, “dy gjela në një kafaz”, nuk është e lehtë të bashkëjetojnë.
Sfidanti.al