I paska munguar një mbështetje për të treguar veten deri në fund. Lebron Xhejms vërteton shprehjen “trimi i mirë me shokë shumë”, pasi ka transformuar fatin e Lejkërsave që nga mbërritja e Entoni Dejvisit. Me një yll të tillë në krah, Xhejmsi e ka më të lehtë të bëjë diferencën në duelet e ligës më të fortë të basketbollit në botë, NBA-së.
Frymëzimi i tij ishte i papërshkrueshëm në ndeshjen ndaj Çikagos, duke bërë të mundur një përmbysje të madhe, edhe pse mosha 34-vjeçare nuk mund të quhet shumë e përshtatshme. Vendasit kryesuan me epërsi deri në 19 pikë, por përballë patën Lebronin që vendosi fatin e përballjes në pjesën e katërt, 118-112.
“Mbreti” i basketbollit pati 30 pikë, 10 topa në tabela e 11 asistë në 35 minuta lojë, duke shtuar edhe dy vjedhje topi si dhe një bllokim gjuajtjeje. Dejvis nuk ishte në ditën e tij më të mirë, pasi realizoi vetëm 15 pikë e kapi 7 topa në tabela, por kontribut dhanë lojtarët e tjerë si Mekgi, Kuzma apo Kuk.
Çikago u përpoq shumë, dhe u udhëhoq nga Zak Lavin që shënoi 26 pikë, kapi 7 topa në tabela dhe shërbeu 7 pasime për kosh, por Lebroni ishte më shumë sesa mund të përballohej. Me këtë fitore, Lejkërsat janë në krye të Konferencës Perëndimore të NBA-së, përpara rivalëve si Denveri, Klipersat apo Dallasi, madje ka bilancin më të mirë në kampionat deri tani.
Sfidanti.al