Lampard: Kurrë nuk kam qenë në një ndeshje si kjo!

Imazhi i Championsit është pikërisht ky. Një spektakël pa frikë se mund të humbasësh, me gjithçka që mund të ketë një ndeshje futbolli. Çelsi e Ajaksi e mbyllën 4-4 në “Stemford Brixh” të Londrës, pa u kujdesur për mbrojtjen dhe pa hedhur sytë nga pasaportat e lojtarëve, që më të rinj se kaq nuk mund të bëheshin.

U shënuan 8 gola, por u përjetuar edhe një ndryshim dramatik, kur rezultati shkoi nga 4-1 për holandezët, pikërisht në 4-4. Kulmi i emocioneve ishte në minutat nga e 68-ta deri në të 71-ën. Dy lojtarë të Ajaksit u përjashtuan me karton të kuq në të njëjtin aksion, kur Blutë e Londrës fituan penallti, të cilën e ktheu në gol Zhorzhinjo.

Çelsi shkurtoi diferencën në 3-4, u ndodh në epërsi të dyfishtë numerike, duke marrë barazimin, madje mundej edhe të kishte fituar. Penalltitë ishin dy, ashtu edhe kartonët e kuq.

“Nuk mbaj mend të kem qenë ndonjëherë në një ndeshje si kjo, – ishin fjalët e Lampardit, – kam pasur shpesh mbrëmje të çmendura dhe mbrëmje të mëdha, por jo kështu. Për këtë, duhen lojtarë me karakter dhe personalitet. Lojtarë si Zhorzhinjo, Kovaçiç, Uillian apo Azpilikueta na ndihmuan”.

Nëse Lampardi ishte në festë, e kundërt ishte ndjenja e trajnerit të Ajaksit, Ten Hag. Ai bëri një përmbledhje të dy dueleve me Çelsin, dhe përfundimi nuk i doli aspak i kënaqshëm. “Jam i lumtur për skuadrën time, por jam i zemëruar me arbitrat, – tha trajneri i Ajaksit, Ten Hag, – disa vendime ishin kundër nesh, madje në të dyja ndeshjet me Çelsin, dhe ne morëm vetëm një pikë, ndërsa duhej të kishim marrë katër. Gjithsesi, ne nuk dorëzohemi dhe jemi me moral të lartë”.

Emocionet e sfidës habitën edhe analistët nëpër studio. “Ferri zbriti në Tokë, – tha gjysmë me shaka, ish-ylli i Anglisë, Geri Lineker, sot analist televiziv, – ishte një moment si në Perëndimin e Egër në Amerikë”. Barazimi në Angli do të thotë se renditja në grupin H është krejtësisht e ekuilibruar, sidomos pas fitores së Valencias me Lilën. Çelsi, Ajaksi e Valencia janë me nga 7 pikë, në një duel tresh për kualifikimin.

Sfidanti.al