Biletat për Francën, tifozët blejnë ç’mbetet pas porosive me miq në FSHF!

Reshjet më shumë prishin punë për trafikun. Sidomos në mot të tillë, radha e makinave shtohet në Rrugën e Elbasanit në kryeqytet, aty ku ndodhet shitorja e Federatës Shqiptare të Futbollit, me biletat e ndeshjes së kombëtares. Vetë tifozët, që në shi janë më të paktë se zakonisht në radhë, nuk e kanë këtë problem kryesor, por faktin sesa bileta vendosen në dispozicion të tyre.

Kur duhen edhe 11 ditë deri në sfidën e Europianit ndaj Francës, qytetarët mund të gjejnë vetëm bileta për tribunat pas portave. Shitjet në internet për francezët kanë përfunduar, dhe nuk mund të bësh më asnjë porosi në këtë mënyrë. Online ke mundësi vetëm për ndeshjen tjetër, atë ndaj Andorrës në “Elbasan Arena”, madje shanset janë të larta në çdo sektor të stadiumit.

Pengesa kryesore për qytetarët janë porositë e shumta të bëra në Federatë nga institucione shtetërore, kompani të mëdha private të të gjitha fushave, si dhe porositë mbi bazë njohjeje. Një fenomen që ka krijuar problem në çdo ndeshje të rëndësishme, siç ka ndodhur më parë me Gjermaninë, Portugalinë, Spanjën, Italinë apo Serbinë.

Nga Federata nuk jepet shifër e saktë e biletave të shitura, pavarësisht se flitet për rreth 9 000 të tilla, në një stadium me kapacitet 22 000 vende. Informacioni është vetëm për biletat e nxjerra në treg, ndërsa nuk dihet saktë sesa janë porositur duke anashkaluar blerjen online apo atë fizikisht në shitore.

Sfidanti.al