Bajern, pse mendon Vengerin, kur ke Murinjon dhe Alegrin të gatshëm?!

Lajmi i habitshëm është që favorit për stolin bavarez është një “pensionist”. Arsen Venger, një veteran i vërtetë me moshë 70-vjeçare, cilësohet si njeriu më i mundshëm për të zënë vendin e lënë bosh nga Niko Kovaç tek Bajerni. Mediat gjermane, dhe pastaj ato të gjithë Europës, njoftojnë se Ralf Rangnik ka dalë nga gara, dhe se ai është “parakaluar” tashmë nga ish-trajneri i Arsenalit.

“Natyrisht që jam i interesuar, – deklaroi Vengeri, – trajnimi është jeta ime, kështu ka qenë deri tani. Çdo njeri që ka punuar si trajner, do të thoshte të njëjtën gjë”. Kandidatë për detyrën në “Alianc Arena” janë edhe Zhoze Murinjo, Masimiliano Alegri, Erik Ten Hag, Hans Flik dhe Mark Van Bomel.

Gjithsesi, duket habi që Venger të cilësohet favorit ndaj Murinjos apo Alegrit. Portugezi ka fituar më shumë në karrierë, ndonëse së fundmi u largua pa lavdi nga Mançester Junajtid. Alegri u largua në verë nga Juventusi, pas shumë titujve radhazi dhe cilësohet një mjeshtër i komunikimit me lojtarët. Ten Hag është i angazhuar tek Ajaksi, Flik është trajneri në detyrë në Bavari, ndërsa Van Bomel është aktualisht në drejtimin e PSV Ajndhovenit.

Sfidanti.al