Liverpul, të lumtë që refuzove hotelin, por kaq nuk mjafton!

Në Angli thonë se shqetësohen për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe shpesh herë e deklamojnë këtë me të madhe. Shumë mirë deri këtu, dhe Liverpuli dha një shembull duke refuzuar një hotel me 5 yje në Katar, për ndeshjet e Kupës së Botës së klubeve, për këtë shkak. Mediat britanike njoftojnë se drejtuesit liverpulas morën informacion se, në të kaluarën, në hotelin “Marsa Malazh Kempinski”, punonjësit janë detyruar të punojnë nga 12 orë në ditë, për më pak se 10 euro në ditë, dhe në temperatura deri në 45 gradë Celsius.

Natyrisht, duhet të ketë duartrokitje për këtë qendrim të drejtuesve të Liverpulit, ndonëse atyre u duhet kujtuar edhe diçka tjetër. Fanelat dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me tregtinë e futbollit, përgjithësisht prodhohen në vende në zhvillim e sipër, sidomos në Azinë Juglindore, me kosto 2-3 paundë stërlina për copë, dhe shiten me çmim shumëfish më të shtrenjtë. Fanelat shkojnë deri në 60-70 euro për copë, kapelet deri në 25 euro, dhe po kaq shallet apo topat e futbollit. Në këtë rast, gjithçka u duket në rregull, sepse fitimet janë të mëdha.

Sfidanti.al