Bajerni shkarkon Kovaçin, ultimatumi për Dortmundin paska qenë fals

Në mëngjes u tha se i kishin dhënë dy ndeshje afat, Olimpiakosn dhe Dortmundin, që duhej t’i fitonte për të shpëtuar postin. Paska  qenë “tym i zi”, jo “i bardhë”, pasi lajmi më i fundit, dhe tërësisht zyrtar është që Niko Kovaç nuk do të jetë më trajner i Bajernit. Klubi bavarez vendosi kështu këtë të diel, pasi u mblodh “Këshilli i Madh”, i përbërë nga Uli Hënes, Karl-Hajnc Rumenige, Hasan Salihamixhiç dhe vetë Kovaçi. Mediat shkruajnë se kroati dha vetë dorëheqjen, por duket se gjendja ishte e tillë që largimi ishte bërë i pashmangshëm.

“Ishte vendimi i duhur nga ana ime për klubin në këtë moment, – tha Kovaç, – rezultatet ishin të tilla, po ashtu mënyra sesi po luanim. Kjo bëri që unë të vendosja kështu. Unë dhe vëllai im, Roberti, e falenderojmë Bajernin që na dha mundësinë të punonim këtu”. Vitin e kaluar ai fitoi Superkupën, Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, por këto nuk mjaftuan. Skuadrën përkohësisht do ta drejtojë ndihmësi i Kovaçit, Hans Flik.

Sfidanti.al