Çou Dinamo, mos vdis më!   Erdhën “engjëjt italianë” për të të  ringjallur…

Mund të duket si një version shqiptar, ku pas rrënimit të skajshëm…vjen lulëzimi!  Lajmi se Dinamo do të ketë një drejtor të ri, jo më shqiptar, por italiani  Enzo Pasareli, me të drejtë ka shkaktuar më shumë habi sesa ajo që  përflitet..besim për ringjallje! Dinamo,  mbi  kocakt  e së cilës po ngrihet me krenari betoni  godina  stërmadhe e FSHF-së,  tamam në momentin që ka prekur tabanin  e detit, pasi ndodhet në  fundin e fundit të klasifikimit në kategorinë ku mban frymën,  nuk do të flasë më shqip. Formula është gjetur: i  duhet një gjuhë e huaj për të rifituar emrin dhe sërën e  dikurshme.

Pyetja që bëjnë dinamovitët, ata të paktët  që i kanë mbijetuar kësaj loje antihistorike me klubin, është  tejet e sinqertë: ç‘ne italianët në këtë moment fatal  për krizën  dhe emrin e klubit?  Dikush shpon me të drejtë se,  shqiptarët me dallaveret e tyre e zhytën klubin, ndërsa italianët kanë ardhur me misionin për ta ngjitur lart nëndetësen,  e cila  ka ngecur në fundin e detit të futbollit tonë,  e ndryshkuar dhe e braktisur , por jo pa dashje!

Ata që shpresojnë se e keqja më e madhe është provuar dhe s’ka ku të shkojë më, besojnë se skema me drejtues italianë në krye të klubit,  ka në prapavijë lojtarët e politikës. Dhe kur vë dorë shtriga e politikës, loja edhe pse nuk është e pastër dhe as e moralshme, klubet marrin ashensorin vetëm për t’u ngjitur  lart, për ta braktisur njëherë e mirë  ..zbritjen. Fundja fundit,  shefat e pokerit me top,  ata   që vetëdekorohen për bëmat e tyre famëkeqe, bashkë me politikën, kanë një fajësi të përbashkët, madje kampione,  për fatin ekstrem të Dinamos. Një fajësi, e cila  do të kujtohet si një ligësi me damkë  kur në fillim Dinamon e përdorën si “qenin e Pavllovit”,  duke e futur në epruvetën e laboratorit për ta shfytyruar, aq  sa nuk mund të njihej më.

Kur  i ndryshuan  emrin,  nuk e dinim se do te vinte nje ditë hokubeti,  që do t’i merrnin edhe shpirtin. Aq sa kurrë i vodhën “tapinë e shtëpisë”, tokën ku ishte klubi,  dukej si një e keqe e përligjur, sepse në një tokë të bukur nuk mund të jetojë dot një klub i vdekur. Paska qënë lojë, tamam si ajo shprehja tek filmi me aktorin e njohur Ndrek Luca,  kjo që i ka ndodhur Dinamos tërë këto vite. Dhe si për maskim  të realitetit , tamam në këto ditë që do të vijnë, do të dekorohen në presidencë dinamovitët e brezit të artë, Iljas Çeço dhe Farruk Sejdini…

G.Sinemati

Botuar ne gazeten Panorama Sport