Një javë më parë, një penallti e dyshimtë u dha në favor të Juventusit. Diçka ndodhi dhe vendimi ishte ai që pritej. Këtë të shtunë, një penallti shumë më e qartë as nuk u mendua të jepej kundër Juventusit, dhe Torino u la të mendonte se për çfarë hyn në punë VAR-i! De Ligt preku dukshëm topin me dorë në zonë, dhe as arbitri, e as teknologjia nuk menduan se duhej dëmtuar “Zonja e Vjetër”. Në Itali, përveçse kanë “hipnotizuar” arbitrat, kanë “kurdisur” edhe kompjuterat dhe kamerat. Juventusi e fitoi derbin ndaj Toros, me gol të shënuar pikërisht nga De Ligt.
Jo më kot, disa javë më parë Antonio Konte i tha Mauricio Sarrit, trajnerit juventin, që të mos shqetësohej sepse tani ishte në anën e të fortëve. Konte, sot trajner i Interit, e ka idenë në një farë mënyre se çdo të thotë të jesh në anën e më të fortëve. Gjithsesi, edhe Interi i tij quhet në anën e fortë, pasi për Lautaro Martinezin u dha penallti në Bolonjë, pak a shumë siç u dha për Ronaldon në Torino ndaj Xhenoas.
Sfidanti.al