Entoni Dejvis u bashkohet legjendave, Lejkërsat të lumtur me dy “Kullat Binjake”!

Është në moshën më të mirë për të shkëlqyer, dhe po e bën. Entoni Dejvis, tashmë 26-vjeçar, po e shfrytëzon më së miri shansin që pati duke veshur fanelën e Lejkërsave, dhe pati një kulm në duelin e fundit në NBA. Në krah të Lebron Xhejmsit, ai arriti të shënonte 40 pikë e të kapte 20 topa në tabela, në suksesin e “Liqenasve” ndaj Memfisit në “Stejpëlls Sentër”.

Kjo do të thotë se ai u bë lojtari i pestë në historinë e klubit me këtë arritje, dhe u bashkua me legjendat Elgin Bejlër, Uilt Çembërlen, Karim-Abdyl Xhabar dhe Shakill O’Nill. i fundit që ia kishte dalë për Lejkërsat ishte O’Nill, në 2003, pra 16 vjet më parë.

Ish-ylli i Nju Orlinsit ishte i papërballueshëm poshtë tabelave, dhe kundërshtarët nuk mundën ta ndalnin as me ndërhyrje të gabuara. Ai pati 27 gjuajtje të lira, nga të cilat i realizoi thuajse të gjitha, plot 26. Padyshim, Dejvisi u ndihmua shumë nga lojtarët e tjerë, sidomos nga Lebron Xhejmsi, që gjithashtu pati një ndeshje të shkëlqyer duke shënuar 23 pikë, e duke shërbyer 8 asistë.

Vetë, ylli me shtatlartësi 2.08 metra, kishte realizuar edhe një herë tjetër 40 pikë e 20 topa në tabela në karrierë, në vitin 2016 me Nju Orlinsin. Ai pati edhe meritën se ia doli në vetëm 31 minuta, duke u bërë më i shpejti në basketbollin amerikan që nga viti 1954.

Sfidanti.al