“Djali plangprishës” Uestbruk, nuk deshi të njihte miqësi në Oklahomë!

Njëmbëdhjetë vite së bashku nuk bëhen dot hasha. Shprehja mund të jetë paksa e vjetër në frazeologji, por si mund të thuhet ndryshe kur një lojtar si Rasëll Uestbruk vihet përballë ish-ekipit ku luajti për më shumë se një dekadë? Kjo ndodhi në mbrëmjen e fundit të NBA-së, veçse të paktën jo në fushën e Oklahomës. Uestbruk luftoi fort në duelin e fituar nga Hjustoni vendas, duke qenë shumë pranë një tjetër tripëll dabëlli.

Ylli, që vazhdon të mbajë fanelën me numrin 0, shënoi 21 pikë, kapi 12 topa në tabela dhe shërbeu 9 asistë, në suksesin e arritur me shifrat 116-112. Nuk besohet se për të ishte edhe aq e lehtë, veçse një profesionist nuk duhet të ketë dyshime se çfarë duhet të bëjë. Uestbruk nuk pati, dhe e bëri shumë të qartë.

“Kështu e ka jeta, – deklaroi Uestbruk më pas, – kur unë dal në parket dhe luftoj, nuk kam miq. Nuk mund të jetë ndryshe. Natyrisht, unë e di që kisha përballë ish-shokët e mi, që i respektoj pa masë, por çdo ekip, çdo lojtar dëshiron të fitojë”.

Xhejms Harden ishte më i miri në fushë për të dy ekipet, duke shënuar 40 pikë, e duke qenë një kapiten i vërtetë për Hjustonin, që arriti fitoren e dytë të sezonit. Në duelin e luajtur në Arenën e Hjustonit spikati edhe rikthimi i Kris Polit si kundërshtar, basketbollistit që luajti aty për dy vjet. Gjithsesi, personazhi kryesor i shfaqjes ishte Uestbruk që sërish nuk zhgënjeu.

Sfidanti.al