Ivan Gazidhis është një njeri i suksesshëm, të paktën për modelin financiar të futbollit. Ish-shefi ekzekutiv i Arsenalit, me të drejtë, mendoi se bëri një hap më lart në karrierë kur mbërriti në një klub 18 herë kampion të Italisë dhe 7 herë kampion të Europës. Realiteti po del më i vështirë sesa e mendonte, ndonëse mjeshtri i biznesit nuk dorëzohet lehtë.
“Projektin e kemi të qartë, do të bazohemi tek të rinjtë, – shprehet Gazidhis, – pronari Eliot ka ide të përcaktuara mirë, dhe nuk bëhet fjalë që të duhen 10 apo 15 vjet që Milani të kthehet në majë. Kjo do të vijë më shpejt, por duhet të jemi bashkë edhe në momentet e vështira”. Gjithsesi, momenti është i keq, me gati 150 milionë euro humbje në një sezon të vetëm, dhe me dënimin nga UEFA për të mos luajtur në Ligën e Europës. Kthimi në majë, nëse do të ndodhë, do të kërkojë padyshim kohë.
Sfidanti.al