Kur aksionerët nga Lindja e Largme “trokitën” në Rrugën Turati, pati shumë dyshime për ta, por edhe shpresa. Kanë kaluar bukur disa vjet dhe pasiguria është davaritur, ndërsa e ardhmja duket edhe më shumë “rozë”. Meqë futbolli është sidomos biznes, Interi mund të të tregojë me krenari se të ardhurat e sezonit 2018-2019 janë mbi 377 milionë euro, gati dyfishi i sezonit 2015-2016. Në katër vjet janë shtuar në arkë 170 milionë euro, madje edhe brenda një edicioni të vetëm rritja është shumë e madhe (nga 297 në 377 milionë euro).
Për të kuptuar këtë rritje duhet të mësoni edhe faktin tjetër, atë që tifozët e Interit janë shtuar deri në 120 milionë në Kinë, një rritje 30 për qind në krahasim me një vit më parë, dhe që premton të shtohet edhe më tepër. Sa për krahasim, një klub i vërtetë global si Mançester Junajtid ka diçka më shumë se 300 milionë tifozë në të gjithë botën. Interi, me aksionerët kinezë dhe me presidentin kinez, ka mundësinë më të madhe për të rritur numrin e tifozëve në Kinë, gjë që do të thotë të ardhura nga e drejta televizive, nga marketingu, nga tregtia e fanelave, shalleve dhe gjithçkaje tjetër që mund të tregtohet.
Kjo do të thotë se Antonio Konte do të ketë më shumë mundësi të kërkojë përforcime në fushën e lojës. Trajneri mund të ndihet më i qetë pas këtyre lajmeve, ndërsa ishte i alarmuar nga barazimi 2-2 me Parmën në “San Siro”, sepse skuadra e tij është disi e vogël dhe lodhja po nis të ndihet.
Sfidanti.al